Ukrainë, shpërthim në bazën ushtarake. 20 mijë të evakuuar

23/03/2017 00:00

Një seri shpërthimesh janë verifikuar në një depozitë armësh në bazën Balaklija, në afërsi të qytetit Kharkiv të Ukrainës.

Baza ushtarake ndodhet rreth 100 kilometra nga fronti, raporton BBC në edicionin online, ku nënvizon se kanë nisur evakuimet për rreth 20 mijë persona.

Depozita përdoret për të mbajtur 138 tonelata municione, mes të cilave raketa dhe armë artilierie.

Skuadrat e shpëtimit janë vënë në punë për të çuar në një vend të sigurtë njerëzit që jetojnë në qytet dhe në fshatrat e afërta. Sipërfaqja totale e bazës shtrihet mbi 350 hektarë, bën të ditur ushtria ukrainase.

Shpërthimet ndodhën gjatë natës dhe mbi ngjarjen qeveria në Kiev ka nisur një proces hetimor penal, nën dyshimin e sabotimit.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i SBU-së, shërbimet sekrete ukrainase. Ndërkohë, prokurori i përgjithshëm ushtarak, Anatoli Matios ka deklaruar:

“Përpara shpërthimit është dëgjuar zhurma e një mjeti fluturues, i ngjashëm me atë të një droni dhe më pas në dy pika të bazës janë verifikuar shpërthimet”.

Top Channel