May: Sulmi, produkt i një mendjeje të sëmurë

23/03/2017 00:00

Kryeministrja britanike Theresa May e quajti sulmin e së mërkurës produkt të një “mendjeje të sëmurë” dhe një goditje ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe lirisë së fjalës.

Ajo shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do të dorëzohet përpara terrorit. Për këtë arsye dhe këmbënguli që Parlamenti të enjten ta rinisë punën si normalisht. Emri i autorit të ngjarjes së rëndë nuk është bërë ende i ditur nga policia, por sipas kreut të njësisë së antiterrorit, Mark Rowley, autoritetet mendojnë se e dinë cili është ky njeri dhe se agresori është frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar dhe i lidhur me Islamin, por nuk dha detaje të tjera.

Sulmuesi përplasi një makinë mbi këmbësorët në urën e Uestminsterit dhe goditi me thikë policin përpara Parlamentit. Ai vetë u qëllua për vdekje nga efektivët në terren vetëm pak metra larg kullës ikone të Big Benit. Episodi i dhunës në zemër të Londrës shkaktoi 5 të vdekur, përfshirë dhe vetë autorin, dhe 40 të plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Polici 48-vjeçar i qëlluar prej tij ka ndërruar jetë menjëherë. Mjekët që e panë situatën nga afër thonë se disa prej plagëve ishin “katastrofike”. Në mesin e të lënduarve janë tre adoleshentë francezë, që ishin në një udhëtim të shkollës, dy turistë rumunë dhe dy vajza italiane. Mënyrën e sulmit, ekspertët e lidhin me ISIS-in. Në Kanada, një i ri i frymëzuar nga xhihadistët përdori një makinë për të shtypur ushtarë. Pas kësaj erdhi masakra e Nisës me kamionin në shëtitore. Natën e Krishtlindjeve, tuniziani Anis Amri vrau 12 vetë në Berlin po me kamion dhe në Ohajo një student somalez sulmoi kolegët e tij me veturë ndërsa në dorë mbante një thikë. 

Sulmi i Londrës duket se vë në zbatim udhëzimet e Al Kaedes dhe Shtetit Islamik, të përcjella përmes videove dhe manualeve të detajuara. Instruktorët shpjegojnë aty se çfarë arme duhet zgjedhur për sulmet e si duhet mbajtur. Atentati erdhi në ditën e 1-vjetorit të sulmeve të Brukselit, duke u kthyer kështu në një kujtesë të pranisë së terrorizmit dhe aktit që ai mund të manifestohet në forma të ndryshme.

Top Channel