Tirana rikthen Takun, merr fund “izolimi”

22/03/2017 00:00

Është koha kur diskutohen ndeshjet e kombëtareve, por për klubet e futbollit shqiptar të ndikuar pak ose aspak nga grumbullimet, ky është momenti i meremetimeve dhe stërvitjes intensive. Te Tirana i kanë dhënë fund një çështjeje që rrezikonte të kishte pasoja si te lojtarët ashtu dhe në fushë, me riintegrimin në ekip, të mesfushorit Afrim Taku.

Presidenti Refik Halili dhe stafi teknik zhvilluan një mbledhje me skuadrën në ambientet e kompleksit stërvitor “Skënder Halili”. Afrim Taku është rikthyer në stërvitje duke mbyllur pezullimin 10 ditor pas debatit me trajnerin Mirel Josa. Futbollisti i kërkoi ndjesë trajnerit dhe shokëve të skuadrës ndërsa vendosi theksin te rezultatet.

Çështja “Taku” u bë kryefjala e javës së fundit te Tirana pasi protestat e tij ndaj trajnerit i kushtuan pezullimin, që tashmë mori fund për shënuesin më të mirë sezonal te bardheblutë. Ndërkohë grupi i lojtareve është reduktuar disi për shkak te grumbullimeve me kombëtarët, por bie në sy rikthimi i Erando Karabecit pas dy muajve jashtë fushave.

Kapiteni ka lënë pas krahëve dëmtimin në kofshë është vënë në urdhrat e trajnerit Mirel Josa. Edhe Bajrami ka lënë pas dëmtimin në kofshë dhe ka nisur gjithashtu punën para një miqësoreje të programuar të shtunën.

Top Channel