Kosova e rajoni, Hoxhaj në seancën e Kongresit amerikan

22/03/2017 00:00

Në ditën e dytë të qëndrimit në Uashingron, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një sërë takimesh me zyrtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Kongresit amerikan, nga partia Republikane dhe ajo Demokrate.

Gjatë takimeve, Hoxhaj ka folur për progresin e Kosovës në konsolidimin e brendshëm, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për njohjet e Kosovës, si dhe sfidat që e presin në vijim.

Në prag të kompletimit të 10-vjetorit të shtetësisë, Hoxhaj ka diskutuar me ligjvënësit amerikanë për raportet e shkëlqyera të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u kërkuar që të vazhdojnë mbështetjen në këtë drejtim, tashmë që Kosova dhe rajoni përballen me rreziqet nga ndikimi rus.

Po ashtu, Hoxhaj ka marrë pjesë në një seancë të Kongresit amerikan, ku ka informuar kongresmenët dhe një audiencë shumë më të gjerë për zhvillimet politike në Kosovë, pas vizitës së disa prej kongresmenëve në Kosovë.

Hoxhaj do të marrë pjesë gjatë ditës së sotme edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të koalicionit anti-ISIS, me ftesë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Top Channel