Sfida me Italinë, Kukeli: Jemi të motivuar

22/03/2017 00:00

Burim Kukeli nuk dëshiron të japë pika referimi. Mungesat e rëndësishme në mbrojtje e kanë vënë në një pozitë të vështirë trajnerin De Biasi dhe gjatë ditëve të fundit, emri i 33-vjeçarit është lakuar shpesh për të mbuluar hapësirat në këtë repart, por në konferencën për shtyp, edhe pse pyetet për këtë temë, mesfushori flet i rezervuar.

“Kemi mungesë mbrojtësish, por në këtë pozicion e kam treguar se ndihem mirë. Gjithsesi për këtë vendos trajneri, unë do të mundohem të jap masimumin për ekipin”, thotë ai.

Hermetik dhe besnik i skemave të trajnerit. Kukeli nuk dëshiron të zgjatet shumë kur pyetet edhe për modulin dhe lojtarët që De Biasi do të prezantojë të premten në mbrëmje kundër Italisë.

“Normalisht kemi disa ditë që po përdorim dhe po punojmë me disa skema, por mendoj se nuk është e rëndësishme të flasim tani”, shton më tej mbrojtësi Kuqezi.

Kundër ekipeve me emër në arenën e futbollit botëror, Shqipëria arrin gjithmonë te lerë shenjë. Kukeli si një nga senatorët e kësaj Kombëtareje e pranon një gjë të tillë dhe shpjegon edhe arsyet pse ndodh pothuajse përherë kështu.

“Kundër ekipeve të mëdha luajmë bukur sepse edhe motivi është më i madh. Mendoj se edhe ne kemi cilësi dhe në ndeshje të mëdha arrijmë të tregojme veten sepse në këto sfida edhe motivimi është më i madh”, deklaroi Kukeli.

Top Channel