Mali i Zi në NATO, Tillerson kërkon anëtarësimin e shpejtë

22/03/2017 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson kërkon pranimin e shpejtë të Malit të Zi në NATO.

Përmes një letre drejtuar udhëheqësve të Senatit të Shteteve të Bashkuara më 7 mars, e që agjencia e lajmeve “Reuters” thotë se e ka parë të martën, Tillerson argumenton se anëtarësimi i Malit të Zi në aleancën atlantiko-veriore është në interes të Shteteve të Bashkuara e do t’i shërbejë integrimit më të madh, reformave demokratike, tregtisë, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në mesin e fqinjëve të saj.

Moska kundërshton çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vonesa e Amerikës për t’i dhënë “dritën jeshile” anëtarësimit të Malit të Zi ka nxitur dyshime nëse administrata e presidentit Donald Trump dhe Partia e tij Republikane do t’i kundërvihen Rusisë, pavarësisht dëshirës së presidentit për marrëdhënie më të mira.

Kjo letër, sipas “Zërit të Amerikës” shfaqet mes përplasjeve rreth marrëdhënies së Sekretarit të ri të Shtetit me aleancën. Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi të hënën se, Sekretari Tillerson planifikon të mos marrë pjesë në një takim me ministrat e Jashtëm të NATO-s muajin e ardhshëm, në mënyrë që të presë në një vizitë shtetërore presidentin e Kinës, duke planifikuar edhe një vizitë në Rusi më vonë gjatë prillit.

Por të martën ndryshoi kursin dhe propozoi data të reja për këtë mbledhje, e cila ishte caktuar për më 5 dhe 6 prill në Bruksel. Mali i Zi, një ish-republikë jugosllave me popullsi prej 650 mijë banorësh, shpreson të fitojë miratimin e nevojshëm nga të 28 anëtarët e NATO-s për t’u bërë një anëtar i plotë gjatë një samiti në muajin maj.

Deri në fillim të këtij muaji, 24 anëtarë kanë dhënë aprovimin e tyre. Anëtarët e NATO-s e shohin pranimin e Malit të Zi, si një mënyrë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë që të zgjerojë ndikimin e saj në Ballkan.

Top Channel