Greqi, zjarri në xhaminë “Bajaziti” shkakton dëme të mëdha

22/03/2017 00:00

Dëme serioze ka shkaktuar një zjarr që ka rënë në orët e para të mëngjesit, në një xhami historike të periudhës osmane të shekullit të XV në Dhidhimotiho të Greqisë verilindore.

“Për momentin nuk ka asnjë tregues se kemi të bëjmë me një zjarrvënie”, ka deklaruar kreu i Shërbimit Zjarrfikës i rajonit Trakë, në kufi me Turqinë.

Kryebashkiaku i qytetit ka deklaruar se pjesa e zbukurimeve prej druri të xhamisë “Bajaziti” ka pësuar dëme serioze nga zjarri që shpërtheu herët në mëngjes. Më shumë se 50 zjarrfikës kanë mbërritur në vendngjarje për të shuar zjarrin.

Sipas policisë, në xhami ishin duke u kryer punime restauruese dhe gjatë saldimit, ditën e martë kishte shpërhyer një zjarr i vogël që është shuar për momentin, por që mund të jetë rindezur më vonë.

Xhamia që ka filluar të ndërtohet në fund të shekullit të XIV nga sulltan Bajaziti dhe që përfundoi nga sulltani Mehmeti në vitin 1421, konsiderohet si monumenti më i rëndësishëm islamik në Europë.

Nuk përdoret për ritet fetare, ndërsa cilësohet si një nga më të mëdhatë në Europën Juglindore përsa i përket shtrirjes së saj, si dhe me një rëndësi të veçantë arkitektonike dhe historike, sidomos për rajonin grek të Trakës ku jeton një pakicë myslimane.

Monumenti ndodhej gati për t’u shembur në fund të viteve ’60, kur filluan të merreshin disa masa restaurimi. Ndërsa pas viti 2008, kur u shembën disa pjesë të minaresë, Ministria greke e Kulturës miratoi një fond restaurimi, ndërsa bëhen vazhdimisht punime për përmirësimin e gjendjes së tij.

Top Channel