Afron Botërori i F1, Ricciardo pret rivalitet te forte

22/03/2017 00:00

Daniel Ricciardo e Max Verstappen vendosën që të presin në një formë tjetër sezonin e ri të Formula 1 që do të startojë këtë fundjavë në Melbourne.

Piloti australian i Red Bull dhe shoku i tij i skuadrës u bënë protagonistë të një gare me minimotoskafë në lumin Yarra dhe duket se janë argëtuar shumë.

Edhe këtë vit, skuadra për t’u mundur do të jetë Mercedes, ndërkohë që mbetet për t’u parë se cili do të jetë rivali kryesor i gjermanëve, Red Bull apo Ferrari. Ricciardo  i ka idetë e qarta në këtë pikë  dhe nuk e nënvlerëson Kokëkuqen italiane.

“Pres që Mercedes e Ferrari të jenë shumë të shpejta në këtë vit”, tha Ricciardo. “Testet nuk i përcaktojnë asnjëherë plotësisht hierarkitë, por unë shpresoj që ne të jemi bashkë me këto dy skuadra në luftën për titullin. Në këtë garë të parë ne vijmë me shumë besim”.

Vitin e kaluar, Ricciado u rendit i katërti në garën e Australisë, por më pas ai u përmirësua ndjeshëm duke fituar garën e Malajzisë, ndërkohë që në disa gara të tjera u ngjit në podium. Këtë vit, ndryshimet teknike do të bëjnë që në pistë të shohim makina më të shpejta dhe për Ricciardon impenjimi do të jetë më i madh.

“Do t’i kalojmë kthesat me 40 km/h më shpejt se vitin e kaluar. Me siguri do të argëtohemi më shumë”, vijoi Ricciardo. “Nëse një tifoz ka mundur të bëjë biletë dhe do të shohë makinat që të përshkojnë kthesat me shpejtësi më të madhe do të mendojë se i ka shpenzuar mirë paratë”.

E panjohura për garën australiane të Formula 1 ka të bëjë me kushtet meteorologjike pasi priten reshje shiu si për provat zyrtare të së shtunës ashtu edhe për garën e së dielës.

Top Channel