Dijsselbloem: Jugu shpenzon për alkool dhe femra e më pas na kërkon borxh

22/03/2017 00:00

Një deklaratë e Presidentit të Eurogrupit, vendeve anëtare të Eurozonës, Jeroen Dijsselbloem ka rindezur debatin mes veriut dhe jugut të Bashkimit Europian.

“Vendet e jugut shpenzojnë para për alkool dhe femra e më pas vijnë e kërkojnë borxh tek ne”, deklaroi zyrtari i lartë holandez për gjermanen, Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Përgjigjjen e parë, Dijsselbloem e ka marrë nga Italia. Ka qenë ish-Kryeministri italian, Matteo Renzi ai që ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Jeroen Dijsselbloem kishte mundësinë që të heshte. Mendoj se njerëz si ai, që i përket edhe se majtës europiane, por që ndoshta nuk e ka kuptuar ende, nuk meritojnë të mbajnë postet që mbajnë. Sa më parë të dorëhiqet, aq më mirë është për të, por edhe për besueshmërinë e institucioneve europiane”, thotë Renzi duke shtuar se deklaratat e tij janë më shumë ‘llafe bar sporti’ sesa të një zyrtari të lartë europian.

Edhe Romano Prodi ka reaguar. Ai tha se tek fjalët e holandezit perceptoi ndjesi të mëdha xhelozie për vendet e jugut, Italinë dhe Spanjën.

Lumi i kritikave të mbërritura ka shkaktuar përgjigjjen e Presidentit të Eurogrupit. “U referohesha të gjitha vendeve të Eurogrupit, jo ndonjë vendi në veçanti”, tha ai.

Top Channel