Belgjikë, përkujtohen viktimat e sulmeve të Brukselit

22/03/2017 00:00

Belgjika kujton viktimat e ditës më dramatike të historisë së saj të kohëve moderne: 22 marsin e vitit të kaluar, me dy shpërthimet në Aeroportin e Zaventemit dhe atë që do të vinte një orë më vonë në stacionin e metrosë së Maelbeekut.

Plot 32 ishin të vdekurit, më shumë se 320 të plagosurit, e madhe dhimbja e shkaktuar, e fortë frika, por edhe vullneti për të mos jetuar nën hijen e saj. Egërsinë e terrorizmit e përjetojnë të gjithë njësoj, pavarësisht kombit të cilit i përkasin.

“Nuk i gjej asnjë kuptim terrorizmit. Në Spanjë kemi vuajtur shpeshherë prej tij, e kemi përjetuar për vite të tëra dhe atentatet e Brukselit mund t’iu them se i goditën të gjithë europianët”, tha një spanjoll.

“Kur dëgjova në radio për sulmin e dytë, menjëherë telefonova të afërmit e mi. Pastaj më shkoi mendja te mikja e ngushtë, e cila fatkeqësisht kishte qenë në metro”, tha një grua.

Një përmendore për viktimat e terrorizmit u përurua në kryeqytetin belg, pikërisht në përvjetorin e parë të tragjedisë. Gjatë fjalimit të mbajtur në ceremoni, mbreti Philippe u kërkoi qytetarëve ta dëgjojnë njëri-tjetrin e të nxjerrin mësime nga sulmet.

“Është përgjegjësi e gjithsecilit prej nesh ta bëjmë shoqërinë tonë më njerëzore dhe më të drejtë. Në këtë ditë ndërgjegjësimi dhe reflektimi, vendi ynë iu detyrohet me këtë angazhim”, tha Mbreti Philippe i Belgjikës.

“Europa do t’i kujtojë përgjithmonë këto sulme fatkeqe”, tha kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, që shtoi se terroristët nuk patën sukses, sepse europianët në fund zgjodhën të mbronin vlerat e tyre. Në selinë e KE-së, ai së bashku me zyrtarë të tjerë europianë i nderuan viktimat e 22 marsit me një minutë heshtjeje.

Top Channel