Njerëz në Mars

22/03/2017 00:00

Me firmën e tij, Donald Trump e ktheu në ligj propozimin që autorizon financimin e një misioni të NASA-s në Mars me njerëz në bord.

Nisma e kishte marrë “dritën jeshile” të Kongresit gjatë një votimi të rrallë të tij mbi këtë çështje dhe e udhëzonte agjencinë e hapësirës të punojë për dërgimin e njerëzve në planetin e kuq, deri në vitin 2030.

Ligji autorizon po ashtu testimin e kapsulës hapësinore “Orion”, e cila nuk është zhvilluar ende sa duhet, ndërsa ka për qëllim t’i çojë njerëzit më larg në kozmos, nga sa ka bërë ndonjë mjet tjetër deri tani.

Sipas Trumpit, legjislacioni konfirmon përkushtimin e administratës së tij ndaj misionit themelor të NASA-s. Shefi i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi atë që e quajti “roli heroik i astronautëve amerikanë” përgjatë dekadave të fundit, e bëri thirrje për partneritet të vazhdueshëm mes agjencisë dhe sektorit privat në eksplorimin e hapësirës.

Një partneritet të tillë e përshëndeste edhe paraardhësi i tij, Barack Obama. Ekspertët thonë se dërgimi i njerëzve në Marsin e ndodhur rreth 225 milionë kilometra larg tokës, do të kërkojë një nivel tmerrësisht të lartë teknologjik dhe shuma marramendëse parash.

Top Channel