NBA, fiton Golden State. Toronto mposht Chicagon

22/03/2017 00:00

Golden State regjistroi një tjetër fitore në kampionatin e NBA-së. Këtë radhë, skuadra kaliforniane mposhti Dallas Mavericks me rezultatin 112-87, në një sfidë që pati edhe një përballje të veçantë, atë mes vëllezërve Stephen dhe Seth Curry, ku ai që triumfoi ishte padyshim basketbollisti i Warriors, edhe pse shënoi vetëm 17 pikë, ndërkohë që Seth e mbylli sfidën me 10 pikë.

Shënuesi më i mirë për Golden State në këtë ndeshje ishte Klay Thompson me 23 pikë, ndërkohë që dha një kontriubut edhe Ian Clark me 18 pikë.

Por ndeshja më elektrizuese e mbrëmjes së djeshme ishte ajo që u luajt në “Air Canada Center” mes Torontos dhe Chicagos, e fituar nga Raptors 122-120 pas kohës shtesë.

Episodi më i rëndësishëm i sfidës ishte ai i periodës së tretë, ku protagonistë u bënë Serge Ibaka dhe Robin Lopez, të cilët u përfshinë në një zënkë të madhe që u shua me vështirësi nga arbitrat, të cilët në fund vendosën të përjashtojnë nga parketi të dy basketbollistët.

Përsa i përket ndeshjes, Chicago e dominoi për pjesën më të madhe të kohës, duke marrë edhe një avantazh prej 15 pikësh. Por Toronto e mori veten dhe, falë një rezultati të pjesshëm 15-0, arriti ta çojë ndeshjen në kohë shtesë. Në këtë pikë, De Rozan mori përsipër të kompletojë suksesin  e Torontos, duke fituar dhe sfidën personale me Jimmy Buttler.

Fitore shënoi edhe San Antonio, që mposhti Minnesotën 100-93, ku si gjithnjë spikati Leonard me 22 pikë, 20 nga të cilat i shënoi në pjesën e dytë dhe këtu përfshihen edhe ato që i dhanë avantazhin përfundimtar skuadrës së San Antonios, 54 sekonda nga fundi i takimit.

Mbrëmje shumë pozitive përjetoi edhe Lamarcus Aldridge me 26 pikë të shënuara.

Top Channel