Maqedoni, ngrihet Komisioni që do të zgjedhë kryeparlamentarin

22/03/2017 00:00

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Maqedoni ranë dakord mbi përbërjen e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, si parakusht për vazhdimin e seancës konstituitive të Parlamentit.

Komisionin do ta përbëjnë 6 anëtarë të VMRO-DPMNE-së, 5 anëtarë të LSDM-së, ndërsa me nga një anëtar do të përfaqësohen dy partitë politike shqiptare, BDI dhe Lëvizja Besa.

Ky Komision pritet së shpejti të propozojë edhe kryetarin e Parlamentit. Pas takimit me Johannes Hahn, udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev deklaroi se çdo ditë e humbur është ditë e rrezikshme për Maqedoninë dhe se qeveria duhet krijuar sa më shpejt.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi që ngërçi politik të mos shndërrohet në krizë ndëretnike, ndërsa VMRO-DPMNE-ja kushtëzon zgjidhjen e krizës me refuzimin e platformës shqiptare.

Partia e Nikola Gruevskit i ka propozuar partnerëve të BE-së, që nëse Zaev dëshiron të formojë qeveri të mos kushtëzohet me “platformën shqiptare” dhe që kjo platformë të refuzohet.

Opsioni i dytë sipas saj mbetet organizimi i zgjedhjeve parlamentare, të cilat të zhvillohen në muajt e ardhshëm, bashkë me ato lokale.

Top Channel