Grekët janë në shumicën e tyre ksenofobë, të paktën në këtë përfundim del një sondazh i fundit i kryer nga Qendra Kombëtare e Hulumtimeve Sociale, specialistët e së cilës shprehen të habitur dhe të dëshpëruar për ndjenjat negative të vendasve ndaj emigrantëve.

Sipas këtij sondazhi, 65% e grekëve i cilësojnë emigrantët si shkaktarë të së keqes në ekonominë greke; 63% thotë se Greqia është bërë vend më i keq për të jetuar për shkak të tyre; 59% deklaron se emigrantët u marrin vendet e punës dhe po kaq se kërkojnë më shumë shërbime sociale sesa u përket; ndërsa 57% se jeta kulturore e Greqisë zhvlerësohet prej ekzistencës së tyre.

Sipas Agjelos Tramundanis, njërit prej hulumtuesve, grekët e përballojnë emigracionin si kërcënim në dy nivele, në atë të gjendjes ekonomike dhe sociale, si dhe në nivelin e identitetit, pasi ndihen të kërcënuar si komb.

Për 33% të grekëve, qeveria nuk duhet të japë kaq lehtë statusin e azilantit politik; 44% deklaron se qeveria i përballoi emigrantët e valës së madhe në dy vitet e fundit shumë më mirë sesa po përballon vendasit; ndërsa 4 në 10 grekë thonë se nuk duhet të ketë fare myslimanë në vend.

Hulumtuesit kanë deklaruar se prisnin rezultate negative për shkak se ndjenat ndaj emigrantëve kanë ndryshuar si rezultat i krizës, por nuk vlerësonin se do të kishte një përshkallëzim të tillë.

Në sondazhin e kryer në bashkëpunim edhe me Universitetin e Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Norvegjisë janë intervistuar 505 emigrantë dhe 827 grekë të moshës mbi 15 vjeç, që banojnë në qytetet e mëdha të Greqisë.

Top Channel