Gjermani-Angli, miqësore me mungesa në Dortmund

21/03/2017 00:00

Në ndeshjen e parë që Gareth Southgate do të drejtojë Anglinë, jo më me vetëdijen se ishte trajner i përkohshëm, “3 luanët” do të kenë ndryshime në miqësoren ndaj Gjermanisë.

Jermain Defoe mund të luajë ndeshjen e parë me kombëtaren në 3 vitet e fundit, pasi forma e mirë te Sunderlandi, me shumë gjasa do ta shpërblejë me formacionin titullar të mërkurën në Dortmund.

Anglia është e pathyeshme që prej disfatës shokuese me Islandën në Europianin e 2016-s dhe skuadra duket në rrugë të mbarë për kualifikimin në Botëror, pasi 4 ditë pas miqësores do të luajë ndaj Lituanisë.

Për “3 luanët” është tërhequr këtë javë nga grumbullimi mbrojtësi Phil Jones, për shkak të problemeve muskulare.

Në kampin tjetër, Gjermania do të duhet të rimendojë formacionin, pas mungesave të rëndësishme.

“Kuarteti” prestigjioz Mesut Ozil, Julian Draxler, Mario Gomez dhe Manuel Neuer nuk është në dispozicion prej dëmtimeve. Gjermania ka humbur vetëm një herë në 18 ndeshjet e fundit që ka zhvilluar në “Signal Iduna Park”, në Dortmund.

Por disfata e regjistruar në Kupën e Botës 2006 ndaj Italisë djeg ende për tifozët e “panzerave”.

Top Channel