“Bllokada elektronike”, Britania pason masat e SHBA

21/03/2017 00:00

Mbretëria e Bashkuar lajmëroi ndalimin e laptopëve në kabinë, në fluturimet me pasagjerë nga 6 vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Kufizimet britanike, që përfshijnë edhe tabletët, DVD players dhe telefonat celularë mbi përmasa të caktuara, pasojnë një masë të ngjashme të marrë nga Shtetet e Bashkuara.

Amerika ka kufizuar pajisjet elektronike që mund të mbahen nga pasagjerët për 9 linja ajrore, nga 10 aeroporte, në 8 vende me popullsi kryesisht myslimane. Sipas Shteteve të Bashkuara, brenda këtyre pajisjeve elektronike mund të fshihen bomba.

Sipas medieve britanike është e qartë se lëvizja e Londrës është koordinuar me SHBA-të. Tentativa për të rrëzuar një avion pasagjerësh vitin e kaluar në Somali, u krye përmes një laptopi dhe duket se, masat e marra nga dy aleatët e vjetër kanë si qëllim të ndalin incindente të ngjashme.

Pajisjet e ndaluara në kabinë do të lejohen që të mbahen te bagazhet e tjera, në pjesën e poshtme të avionit. Ndërsa autoritetet thonë se ekstremistët kërkojnë mënyra gjithnjë e më inovative për të sulmuar, një pjesë e ekspertëve mendojnë se masat e marra për ndalimin e pajisjeve elektronike janë disi të paqarta, pasi nëse një bombë futet në një avion, pak rëndësi ka se në cilën pjesë të tij gjendet.

Top Channel