Klima “ekstreme, e pazakontë” vazhdon edhe në 2017-n

21/03/2017 00:00

Ndryshimet klimatike po arrijnë nivele të reja shqetësuese anembanë Tokës, qoftë ato atmosferike, në dete apo edhe në polet e kontinentit, njofton Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) në analizën e fundit globale të detajuar.

Në raport thuhet se 2016-a nuk ishte vetëm viti më i ngrohtë në histori, por regjistroi gjithashtu edhe një rritje në nivele të reja të larta të dioksidit të karbonit në atmosferë, ndërkohë që akujt e detit Arktik kaluan një dimër tejet të butë.

Kushtet klimatike “ekstreme dhe të pazakonta” kanë vazhduar edhe në këtë fillim të vitit 2017.

Raporti i “WMO”-së i titulluar “Gjendja globale e klimës 2016” është hartuar pas kërkimeve dhe informacioneve nga 80 agjenci kombëtare të shërbimit meteorologjik, për të dhënë një panoramë më të thellë dhe të kompletuar të të dhënave vjetore mbi klimën.

Krahasuar me periudhën e referencës 1961-1990, viti 2016 rezultoi me 0.83 gradë Celsius më i ngrohtë sesa mesatarja. Ai ishte gjithashtu 1.1 gradë Celsius më i ngrohtë sesa periudha paraindustriale, ndërsa vetëm 0.06 gradë më i ngrohtë sesa viti paraardhës, ai 2015.

“Rritja e temperaturave globale është në përputhje me ndryshimet e tjera që kanë ndodhur në sistemin klimatik”, tha sekretari i përgjithshëm i “WMO”-së, Petteri Taalas. “Temperaturat mesatare globale në sipërfaqe të deteve kanë qenë gjithashtu më të lartat të regjistruara, nivelet globale të deteve kanë vazhduar të rriten, ndërsa masa e akujve të detit Arktik ka qenë nën mesataren për shumicën e vitit”, tha ai. Megjithatë, ngrohja globale nuk ka qenë e njëtrajtshme në të gjitha pjesët e globit për vitin 2016.

“WMO”-ja thotë se klima ekstreme dhe e pazakontë dhe trenet e motit kanë vijuar edhe përgjatë vitit 2017. Në të paktën 3 raste gjatë këtij dimri, Arktiku ka përjetuar ekuivalentin e valës së të nxehtit, pasi stuhitë e fuqishme të Atlantikut çuan ajër të ngrohtë dhe të lagësht në rajon.

Top Channel