Sulmi i fundit i Erdogan: Europë “fashiste e mizore”

21/03/2017 00:00

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan u zotua se do të rishikojë marrëdhëniet me Bashkimin “fashist dhe mizor” Europian, në serinë më të fundit të luftës verbale dhe diplomatike, që tashmë përfshin të gjithë bllokun.

Komentet e Erdoganit u bënë në mitingun e radhës për të grumbulluar vota për referendumin e 16 prillit, që nëse merr mbështetjen popullore i rrit ndjeshëm fuqitë presidentit.

“Europa e sotme është Europa fashiste dhe mizore e Luftës së Dytë Botërore. Europa e sotme është Europa e Mesjetës, që konsideron turqit dhe Islamin si armiq. Por ne do të japim një përgjigje të tillë, saqë ata që na shohin në ekrane televizorësh, ata që na shohin nga jashtë, qytetarët tanë, e gjithë Europa dhe bota do të na dëgjojnë. Pas referendumit, Turqia do të jetë shumë ndryshe”, tha Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë.

Pasi sulmoi udhëheqës të caktuar europianë javën e kaluar, tashmë Erdogani i është kthyer të gjithë Bashkimit Europian, në atë që cilësohet si përpjekje për të fituar votat e nacionalistëve, që mesa duket mund të jenë vendimtare për të kurorëzuar “mbretin”, një term ky që po përdoret gjithnjë e më shumë, duke qenë se edhe BE-ja e ka kritikuar referendumin, pasi përqëndron jashtëzakonisht shumë fuqi në duart e presidentit.

Por loja nacionaliste e Erdoganit mund të jetë “thikë me dy presa”, pasi kur referendumi të kalojë, ngrica me Europën do të mbetet aty. Erdogan mendon se BE-ja ka nevojë më shumë për Turqinë, sesa anasjelltas, por mund të jetë duke bërë një gabim të rrezikshëm.

Top Channel