Kombëtarja në “karantinë”

21/03/2017 00:00

Përfaqësuesja shqiptare që prej ditës së hënë është e ngujuar në grumbullim, ku po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme, për vetë De Biasin, por edhe për kombëtaren si ajo ndaj Italisë. Rojet private ndalojnë këdo t’i afrohen resortit, ndërkohë që edhe familjarët e futbollistëve, mundet t’i takojnë me minutazh të kronometruar.

Në konferencën e parë për shtyp për këtë ndeshje trajneri kishte përzgjedhur dy lojtar mesfushorë që e njohin shumë mirë kampionatin italian si Ledian Memushaj dhe Migjen Basha që njeh akoma më shumë trajnerin e axurrëve Xhanpiero Ventura, trajner që e ka patur kur luante tek Torino.

“Kur arrita në Torino ishte trajner Ventura. Nga Seria B u ngjitëm në A dhe vetëm sezonin e dytë u kualifikuam në Europa League. Aty shihet puna e mirë që Ventura ka bërë me lojtarë si mua, Darmian apo Immobile dhe unë dua ta falënderoj për ato vite të mira të karrierës. Ventura është një trajner që i pëlqen ta sulmojë kundërshtarin. Duhet të shohim edhe formacionin që ai do të përdorë, por me lojtarët që ka në dispozicion Italia mund të na krijojë probleme. Në disa ndeshje jemi mbrojtur mirë dhe kemi kundërsulmuar, mund ta vëmë Italinë në vështirësi”, thotë Basha.

Ndërsa  Ledian memushaj vuri në dukje rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe synimin e skuadrës sonë përfaqësuese për këto eliminatore.

“Kemi shumë mungesa, por secili prej nesh do të japë maksimumin. Është një ndeshje e vështirë, por ne do të përpiqemi që të marrim pikë ndaj Italisë. Kur luan ndaj ekipe si Italia nuk është i nevojshëm motivimi i trajnerit. Për këto eliminatore duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe objektivi kryesor yni është që të kapim vendin e dytë në grup”, tha Memushaj.

Top Channel