SHBA, mungesë në NATO

21/03/2017 00:00

Rex Tillerson planifikon ta anashkalojë takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s muajin e ardhshëm, në mënyrë që të qëndrojë në Amerikë për vizitën e presidentit kinez, ndërsa më vonë gjatë prillit do të udhëtojë drejt Moskës.

Zyrtarë të lartë amerikanë i treguan agjencisë së lajmeve “Reuters” itinerarin e lëvizjeve të shefit të diplomacisë amerikane, i cili mund të interpretohet nga aleatët edhe si një formë për t’i dhënë prioritet Moskës përpara tyre.

Ai i datave 5 dhe 6 prill do të ishte takimi i parë i Tillerson me partnerët e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel. Mungesa në një event të tillë dhe udhëtimi më pas drejt Moskës rrezikon të ushqejë perceptimin se Donald Trump mund të vendosë në plan të parë marrëdhëniet e Amerikës me fuqitë e mëdha, duke spostuar në vend të dytë kombet më të vogla që varen nga Uashingtoni për sigurinë e tyre.

Trump e ka lavdëruar shpesh Vladimir Putinin dhe Tillersoni ka bashkëpunuar për vite të tëra me qeverinë ruse në kohën kur shërbente si drejtues i lartë i kompanisë Exxon Mobil Corp. Ai madje e ka vënë në dyshim mençurinë e sanksioneve kundër Moskës.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit sqaroi se kryediplomati amerikan do të takohet veçmas me ministrat e Jashtem të 26 prej 27 anëtarëve të tjerë të NATO-s, që do të thotë të gjithë me përjashtimin e atij kroat, në një mbledhje të koalicionit ku do të diskutohen mënyrat e mposhtjes së Shtetit Islamik.

Top Channel