Uruguaji, pa Suarezin ndaj Brazilit

21/03/2017 00:00

Uruguaj-Brazil është supersfida e kualifikueseve të Botërorit 2018 për zonën e Amerikës Latine. Skuadra e drejtuar nga Oscar Tabarez i ka nisur përgatitjet pa Luis Suarez, i cili nuk do të jetë në përballjen ndaj 5 herë kampionëve të botës, për shkak të akumulimit të kartonëve të verdhë.

Luis Suarez ka shënuar 31 gola në 41 ndeshje me kombëtaren uruguajane dhe mungesa e tij konsiderohet një avantazh jo i vogël për skuadrën e Brazilit. Por Tabarez theksoi se forca psikologjike e skuadrës së tij do të jetë një armë e dobishme për këtë supersfidë me “Seleçao”-n.

“Brazili mund të bëjë shumë gjëra në këtë ndeshje, por nuk mund të përballet me forcën tonë psikologjike, – tha Tabarez. – Nuk jemi një skuadër që dorëzohemi, por i kalojmë vështirësitë. Kjo për ne është shumë e rëndësishme. Sigurisht është vetëm një ndeshje futbolli, por ne jemi të fortë në aspektin psikologjik”.

Uruguaji ndodhet në vendin e dytë në grupin amerikano-latin të kualifikueseve të Botërorit 2018, me 23 pikë pas 12 ndeshjesh, ndërkohë që vendin e parë e mban Brazili me 27 pikë.

Top Channel