Sezoni i ri i F1, Bottas shpreson ta nisë me fitore

21/03/2017 00:00

Botërori i Formula 1 të këtij viti nuk do të ketë kampionin në fuqi të tij, Nico Rosberg i cili deklaroi tërheqjen në fund të 2016 duke lënë një vend bosh te Mercedes që u plotësua nga Valtteri Bottas.

Piloti finlandez që gjatë testeve të Barcelonës kreu më shumë xhiro në pistë se çdo pilot tjetër deklaroi se për të garimi me Mercedes është një ëndërr e bërë realitet dhe se ai shpreson që ta nisë me fitore sezonin e ri.

“Një fitore e mundshme në Melbourne do të thotë një fillim perfekt i sezonit dhe karrierës sime me Mercedes”, tha Bottas. “Gjithsesi nuk është se po e mendoj shumë këtë fakt. Sigurisht që e dua fitoren e garës, por jam më shumë i fokusuar tek puna ime dhe me skuadrën. Nëse bëj gjithçka mirë atëherë suksesi është mëse i mundur”.

Puna e Bottas është vlerësuar në maksimum edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Mercedes Toto Wolff, i cili e përkufizoi finlandezin si një pilot modest dhe shumë punëtor dhe se shpreson që në 26 mars të nisë fitoren e garave në karrierën e tij.

Top Channel