Ivanka Trump, zyrë në Shtëpinë e Bardhë

21/03/2017 00:00

Ivanka Trump, vajza e presidentit Donald Trump, do të ketë zyrën e saj në Shtëpinë e Bardhë. Kështu njoftoi avokatja e saj, e cila tha se ajo do të ketë lejekalimi kudo dhe qasje në informacione të rezervuara.

Por Ivanka nuk do të ketë një post zyrtar, apo pagë, kur të punojë në krahun e famshëm perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, qendra e pushtetit ekzekutiv në SHBA.

Sipas avokates Jamie Gorelick, roli i saj do të jetë të shërbejë si “sytë dhe veshët” e Donald Trumpit dhe t’i ofrojë atij këshilla. Në një komunikatë për shtyp, vet Ivanka Trump tha se, ndërsa nuk ka precedentë modernë për praninë e një fëmije të rritur të një presidenti, ajo do t’i bindet vullnetarisht të gjitha rregullave të etikës që kanë nëpunësit qeveritarë.

Ivanka Trump do t’i bashkohet kështu bashkëshortit të saj, Jared Kushner, i cili është një prej këshilltarëve të lartë të presidentit. Me zonjën e parë Melania Trump, që vazhdon të qëndrojë në Nju Jork me djalin e saj, duket se Ivanka Trump do të jetë femra më e fuqishme në Shtëpinë e Bardhë, megjithëse edhe me praninë e njerkës aty, situata zor se do të ishte e ndryshme.

Që prej betimit të Trumpit në janar, Ivanka ka marrë pjesë në takimet e babait të saj me udhëheqës botërorë si Angela Merkel apo Justin Trudeau dhe duket se, akuzat për nepotizëm nuk e shqetësojnë fare atë, babain president apo administratën e re.

Top Channel