Funksionimi i NATO-s, Trump nuk e ka të qartë

19/03/2017 00:00

Pas vizitës mjaft të sikletshme të kancelares gjermane Angela Merkel në SHBA, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Gjermania i detyrohet shuma të mëdha parash NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, pavarsisht se aleanca nuk i bën pagesa Amerikës.

Komentet e tij për këtë borxh të pretenduar lanë në hije takimin mjaft formal me kancelaren gjermane, ndërsa shumë ekspertë thonë se fjalët e Trump tregojnë se komandanti i përgjithshëm i SHBA-ve nuk e ka idenë si funksionon aleanca veri-atlantike.

Sipas udhëzimeve zyrtare të NATO-s, vendet antare pritet që të shpenzojnë 2% të produktit të brendshëm bruto për mbrojtjen, por aktualisht vetëm 5 anëtarë të aleancës e bëjnë këtë.

Në samitin e Uellsit në vitin 2014, anëtarët e NATO-s u zotuan se do të rrisin shpenzimet ushtarake në 2% të GDP-së, një objektiv që konsiderohet joreal dhe i parealizueshëm për disa prej tyre.

Kështu që, kontributi i anëtarëve varet nga aftësitë e çdo vendi, prandaj anëtarët e NATO-s nuk kanë asnjë borxh dhe nuk i detyrohen para askujt.

Ivo Daalder, ish përfaqësuesi amerikan në NATO nga 2009 deri në 2013, reagoi në twiter ndaj pretendimeve të Trump, duke shpjeguar se aleanca nuk funksionon siç mendon presidenti.

Daadler shkruan se edhe SHBA vendos vetë sa do të shpenzojë për NATO-n dhe fakti që shumë anëtarë kanë vendosur të rrisin shpenzimet për mbrojtjen, nuk do të thotë se do ti pagujnë para Amerikës apo se po i bëjnë një favor asaj.

Sipas ekspertit amerikan, angazhimi i madh që SHBA ka në NATO bëhet për vetë sigurinë e tyre dhe nuk është borxh që të tjerë i kanë Washingtonit.

SHBA, shkruan Daadler ka marrë pjesë në dy luftëra botërore dhe një tjetër të ftohtë në Evropë, liria dhe paqja e së cilës janë jetësore për interesat e Amerikës.

Top Channel