Vllaznia, barazim mes polemikash

19/03/2017 00:00

Polemikat me arbitrimin nuk kanë të sosur në Superligën shqiptare.

Çudia e radhës ka ndodhur sot në Shkodër, në ndeshjen midis Vllaznisë dhe Teutës, ku gjyqtarët akordojnë golin e shkodranëve, por pas protestave të shumta të durrsakëve, vendosin t’a anulojnë sërish.

Shkodranët e nisën vrullshëm takimin dhe fituan 11 metërsh, që në minutën e pestë.

Ekzekutimin e mori përsipër sulmuesi Elis Bakaj, i cili goditi shtyllën dhe më pas e dërgoi topin në rrjetë, por gjyqtari e anuloi për pozicion jashtë loje. 

Në minutën e 73 -të, të pjesës së dytë, Progni u ndëshkua me karton të kuq dhe la me 10 futbollistë Teutën.

Vllaznia, e ndodhur në epërsi numerike, shton presionin dhe arrin të gjejë golin në minutën e 81-të me anë të talentit Rubin Hebaj, por ndodh sërish skandali me gjykimin.
Gjyqtarët akordojnë golin dhe pas 2-3 minutash të futbollistëve të Teutës, vendosin t’a anulojnë sërish atë, me pretendimin për një prekje me dorë të sulmuesit shkodran, Hajdari.

Minutat e mbetura u karakterizuan nga tensioni mjaft i madh, ku Vllaznia nuk pajtohej me vendimin e gjyqtarit.

Shkodranët u hodhën sërish në sulm, në kërkim të fitores, por fati nuk ishte me ta, pasi Hebaj goditi shtyllën pas një goditje me kokë.

Në fund, ndeshja mbyllet në barazim 0-0 dhe me shumë polemika e protesta.

Top Channel