Premier, Hughes akuzon Diego Costën

19/03/2017 00:00

Sulmuesi i Chelseat, Diego Costa është një prej lojtarëve që kanë kontribuar më shumë në kryesimin e qëndrueshëm të “bluve” londinezë në Premier League, por gjithashtu një futbollist me karakter problematik, që nuk i shpëton ndëshkimeve dhe akuzave si nga klubi, ashtu dhe nga Federata angleze.

Lojtari i lindur në Brazil, por i natyralizuar spanjoll, këtë herë ka përfunduar në shenjstrën e Mark Hughes.

Trajneri i Stoke City nuk e përtypi lehtë humbjen ndaj londinezëve, duke akuzuar sulmuesin se vë në zbatim “arte të errëta” dhe simulon në fushë. Diego Costa u përfshi në disa përplasje me futbollistët e Stokes, si dhe mori karton të verdhë këtë fundjavë, kur reagoi dhunshëm pas një faulli që pretendoi, por nuk ishte i tillë.

“Diego Costa është mjaft i përshtatshëm për arte të errëta në futboll dhe çdokush që kupton sadopak nga kjo lojë e ka vënë re. Ai kërkon të shpikë faulle dhe të kërkojë kontakte të panevojshme. Kam luajtur në pozicionin e tij për shumë vite dhe e di se, të paktën duhet të reagojë ndryshe. Ai është sulmues i mirë, por kur shikon sjelljen e tij dhe rrëzimin e shpeshtë në fushë, atëherë kjo nuk e ndhmon aspak”, thotë trajneri i Stoke City.

Top Channel