Sulmi në “Orly” hetohet nga prokurorët e Antiterrorit

19/03/2017 00:00

Prokurorët e Antiterrorit në Francë janë duke hetuar sulmin e kryer në Aeroportin “Orly” të Parisit, nga një agresor i cili është qëlluar gjithsesi për vdekje nga forcat e sigurisë.

Ziyed Ben Belgacem, 39 vjeç, u vra të shtunën pasi i kishte vendosur pistoletën në kokë një ushtari, e duke dashur që ky i fundit “të vdiste për Allahun”, sipas asaj që thonë zyrtarët. Agresori ishte përfshirë më herët gjatë së shtunës edhe në një ngjarje të shtënash dhe rrëmbimi të një makine.

Belgacem përshkruhet si i radikalizuar në burg, teksa ka qenë edhe në listën e “mbikëqyrjes” nga policia. Rekordet e tij kriminale përfshijnë dënime për rrëmbim të armatosur dhe për shkelje që kanë pasur lidhje me drogën, u deklaroi reporterëve prokurori i Parisit, François Molins, të shtunën.

Agjentë të shërbimeve sekrete bastisën shtëpinë e tij në Garges-les-Gonesse për të gjetur prova që e lidhnin atë me simpatinë ndaj islamikëve, por thuhet se nuk kanë gjetur asgjë. Gjithsesi, gjurmë kokaine janë zbuluar gjatë kërkimeve.

Sulmi ka ardhur në një periudhë tepër të ndjeshme për Francën, e cila zhvillon zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm dhe mbetet ende nën gjendjen e emergjencës të shpallur shumë muaj më parë.

Ushtarët e dislokuar në Aeroportin “Orly” ishin pjesë e “operacionit Sentinel”, i cili përfshin mijëra ushtarë të dërguar në zona sensitive të qytetit për të mbështetur policinë, që prej sulmit ndaj “Charlie Hebdo” në janar të vitit 2015 dhe sulmeve të Parisit që pasuan në nëntor të 2015-s.

“Orly” ndodhet vetëm 13 km larg Parisit, në periferinë jugore të tij, dhe është aeroporti i dytë më i madh i kryeqytetit francez.

Top Channel