Sot nis “Big Brother 9”

18/03/2017 00:00

“Big Brother 9” fillon pas pak. Produksioni i këtij edicioni është gati për t’i ofruar publikut një spektakël të madh dhe të shumëpritur.

Shikimi i “Big Brother” do të jetë tërësisht i ri këtë vit. Sepse siç e quan edhe autorja Alessia Grieco Vessicchio programet janë si martesat. Për t’i mbajtur gjallë, rinovimi është një domosdoshmëri.

“Është pothuajse gjithçka e re. Është i ri autori, janë të rinj autorët e tjerë, është i ri producenti, është i ri stafi, si dhe regjisori. Shikimi i Big Brother këtë vit është i gjithi i ri dhe kemi kërkuar të rinovojmë edhe formatin. Do të kemi dashuri në këtë edicion sepse dashuria është gjithçka, është energjia, është emocioni. Është edicioni i dashurisë sepse do të luhet me dashuri. Por jo në një kuptim të vetëm, të themi dashuri në shumë kuptime, mes miqsh e bashkëpunëtorësh, thjesht dashuri. Ajo është gjëja më e bukur që kemi për të dhënë. Është një sfidë e madhe sepse është hera e parë. E di që ka njerëz që kanë pritshmëri”, shprehet  Alessia Grieco Vessicchio, autore e “Big Brother 9”.

Por fytyra e “Big Brother” do të jetë po ajo. Arbana Osmani, që i ka qëndruar besnike këtij spektakli që prej edicionit të parë.

“Do të shihni atë që keni dy vite që prisni të shihni: “Big Brother”, një program që është kthyer në një traditë, në një domosdoshmëri për audiencën shqiptare. Unë jam shumë e lumtur edhe me fat të jem edhe një herë prezantuesja e këtij formati televiziv, i cili dhuron kaq shumë emocione për publikun, por edhe për mua megjithëse është edicioni i 9”, thotë Arbana Osmani, moderator e “Big Brother 9”.

Spektakli do të zbulohet hap pas hapi në formën e narracionit, duke filluar prej të shtunës në orën 21:00, në ekranin e Top Channel.

“Big Brother” do vëzhgojë.

Top Channel