Mustafa kundër Thaçit: Ushtria nuk krijohet pa koordinim me NATO dhe SHBA

18/03/2017 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa i ka dalë kundër nismës së presidenti Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në ushtri. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa koordinim me Amerikën dhe NATO-n, ka thënë shefi i ekzekutivit në përvjetorin e partisë së tij LDK në Podujevë.

Iniciativa e Thaçit duket kështu se nuk do të marë dritën jeshile të qeverisë kosovare. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delavvie e ka kundërshtuar me forcë propozimin e presidentit me argumentin se një hap i tillë nuk mund të hidhet pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Thaçi vazhdon të pretendojë se krijimi i ushtrisë nuk do të ishte veprim i njëanshëm, por nëse ka ndonjë vend që mendon se për një lëvizje të tillë Kosova duhet të koordinohet me Serbinë, kjo nuk ka për të ndodhur, deklaron ai.

“Ia kam kërkuar kryeministrit Vuçiç që të ushtrojë ndikimin e vet për një rikthim të serbëve në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të votohet Asosacioni dhe Demarkacioni, e gjithashtu edhe ndryshimet kushtetuese për FSK-në. Por pala tjetër heziton, ndaj kthim prapa nuk ka, FSK duhet të transformohet në ushtri”, vazhdon kreu i shtetit.

Thaçi e dërgoi projektligjin në Parlament, nga ky drafti shkoi në qeveri për miratim dhe ende nuk i është kthyer deputetëve që ta votojnë. Zyrtarët amerikanë dhe ata të NATO-s kanë kërkuar që ushtria të krijohet pasi të bëhen ndryshime Kushtetuese për të cilat kërkohet vota e pakicave, përfshi atë serbe.

Top Channel