Man. City vs Liverpool, Pep: Duam fitoren!

18/03/2017 00:00

Manchester City-Liverpool është supersfida e kësaj jave në Premier Leaguen angleze. Në Ettihad Stadium skuadra e Citizens do të kërkojë që të harrojë sa më shpejt eliminimin nga Liga e Kampioneve dhe mund t’ia dalë mbanë në rast të një fitoreje të mundshme ndaj The Reds.

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola u kritikua shumë ditët e fundit dhe në median britanike po flitet se spanjolli mund të ndryshojë stilin e lojës në këtë sfidë, një hipotezë që u hodh menjëherë poshtë prej tij.

“Nuk do ta ndryshojmë stilin e lojës, do të përpiqemi të fitojmë. Ajo që duhet të bëjmë është që të mbrojmë më mirë”, tha 46-vjeçari kur u pyet në lidhje me këtë çështje.

Guardiola më pas përgënjeshtroi edhe lajmin se po përgatit  një revolucion në skuadër që përfshin largimin e shumë futbollistëve.Tekniku katalanas deklaroi se është e pamundur që të nxjerrësh menjëherë në merkato 12 apo 13 futbollistë, pasi ata janë të lidhur nga kontratat që kanë me klubin.

Manchester City për momentin ndodhet në vendin e tretë në Premier League me 56 pikë, 1 më shumë se Liverpool, që ka një ndeshje më shumë.

Top Channel