Shkodër, bursa për studentët ekselentë

18/03/2017 00:00

Ambasada të vendeve të ndryshme të akredituara në vendin tonë kanë zhvilluar në pedonalen e Shkodrës eventin “Ditët e hapura” ku kanë prezantuar mundësitë për studime e bursa për gjimnazistët e studentët e Shkodrës.

Aktiviteti është mundësuar nga Ministria e Jashtme në bashkëpunim me disa nga ambasadat e huaja. Në fjalen e tij, ministri Ditmir Bushati u shpreh se këto aplikime dhe bursa janë një mundësi për studentët e talentuar dhe për prindërit që bëjnë sakrifica për shkollimin e fëmijëve.

“Ky aktivitet vjen në Shkodër menjehërë pas kryeqytetit. Pjesëmarrja në këtë qytet është më i lartë se në Tiranë sepse ky është edhe qyteti i dijes ku shumë pena të mprehta të vendit kanë dale nga Shkodra dhe meqë jemi tek arsimi dua të çmoj figurën e Luigj Gurakuqit si figura e cila ka dhënë një kontribut të çmuar për arsimin. Kjo është një mundësi për çdo student të talentuar dhe për prindërit të cilët bëjnë sakrifica për tu dhën një mundësi edukimi femijëve të tyre. Duam të ndërtojmeë një bazë solide të dhënash për të gjithë studentët të cilët studiojnë jashtë për të jetuar edukimin e tyre në funksion të përmirësimit dhe zhvillimit të vendit. Kësaj nisme do t’i shtohet dhe një nismë tjetër, siç është “Eiki Academy”, e cila do të jetë në funksion të përmirësimit të imazhit të vendit. Dua të falenderoj Ambasadorin Lu që përfaqëson sot këtu SHBA-të, si dhe mundësitë që ofron ky vend dhe vendet e tjera për edukimin e brezave të rinj”, tha Bushati.

Ndërkohë, ambasada të ndryshme si ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kinës, Rusisë, Italisë, Turqisë dhe Austrisë kanë prezantuar para studentëve mundësitë dhe bursat e studimit. I pranishëm në këtë event, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu i ka bërë thirrje studentëve të aplikojnë për shkollim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi ky vend ka profesorët, shkollat e mundësitë më të mira për studim.

“Në Amerikë kemi profesor të mrekullueshëm, ne kemi mundësi të presim, kemi studentët më të mirë nga anëembanë botës , mirë se të vini në Amerikë”, tha ambasadori i SHBA-së, Donald Lu.

Top Channel