Merkel-Trump, përpjekja për çtensionim

18/03/2017 00:00

Donald Trump dhe Angela Merkel në fund i shtrënguan duart gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, edhe pse përpjekja e fillestare e kancelares gjermane për ta bërë një gjë të tillë, dështoi.

Dy liderët u gjendën për herë të parë përballë njëri-tjetrit pas muaj të tërë kritikash të ndërsjella për emigracionin e tregtinë.

Shtypi gjerman vëren se Merkel dhe Trump kishin vendosur të theksonin të përbashkëtat, të sheshonin dallimet, ose të paktën të mos i përmendnin publikisht ato.

Presidenti amerikan ishte dukshëm i tensionuar, sipas mediave në Gjermani, të cilat nuk e konsiderojnë kaq të pazakontë një gjë të tillë. Trumpit, sipas tyre, nuk po i ecën as politika e emigracionit, as mënyra e veprimit me shërbimet sekrete, as reforma sistemit shëndetësor, e mbase nuk ka dashur që t’u shtojë problemeve të veta edhe dështimin me njerën prej lidereve më me përvojë të botës, të cilën dikur e etiketonte si një “udhëheqëse katastrofike”.

Nga kjo vizitë e parë nuk pritej shumë, por palët i lejuan vetes ca fitore të vogla. Merkel premtoi edhe njëherë shpenzime më të mëdha për mbrojtjen, ndërsa Trump konfirmoi pa lënë asnjë dyshim mbështetjen për NATO-n.

Megjithatë, të dy do t’u mbeten besnik disa qëndrimeve lidhur me tregtinë e lirë. Kur erdhi fjala tek çështjet ekonomike, Kancelarja u përpoq të projektonte një qasje pajtuese.

“Suksesi i gjermanëve, tha ajo, ka qenë përherë njëra anë e medaljes. Ana tjetër ka qenë gjithmonë uniteti i Europës dhe integrimi europian.Kjo është diçka për të cilën mbetem thellësisht e bindur”, tha ajo.

Komenti ishte i referim i tërthortë ndaj Brexitit, të cilin Trumpi e përshëndeti me forcë. Ngrohtësia që karakterizonte marrëdhëniet me Obamën sigurisht mungoi, por Merkel u përpoq që në fillim ta thyente akullin duke thënë: “Është më mirë të flasim bashkë, sesa të flasim për njëri-tjetrin”.

Top Channel