Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson mbërriti në Pekin, ndalesa e fundit, por më e rëndësishmja e turit të vizitave në Azinë Lindore.
Kryediplomati amerikan u prit nga homologu i tij kinez Wang Yi në një moment më shumë se delikat në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjuha e ashpër e Donald Trump ndaj kinezëve, sidomos sa i takon ekonomisë dhe përshkallëzimi i tensioneve me Korenë e Veriut janë dy prej temave më të nxehta në tryezën e bisedimeve mes dy vendeve.
Një ditë më parë, Tillerson deklaroi nga Koreja e Jugut se Uashingtoni nuk përjashton asnjë formë reagimi ndaj kërcënimeve të Veriut komunist, duke përfshirë këtu edhe ndërhyrjen ushtarake.
Deklarata nuk është mirëpritur në Kinë, një aleate tradicionale e Penianit, që është kritikuar edhe nga Donald Trump për qëndrimet e saj.
“Koreja e Veriut po sillet shumë keq dhe Kina nuk po ndihmon për këtë”, ishte cicërima e Presidentit amerikan në Twitter.
Por qeveria kineze këmbëngul se është në mbikëqyrje të vazhdueshme që të mos shkelen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut dhe se kundërshton vendosjen e një sistemi të ri amerikan antiraketë në Korenë e Jugut.
“Duket se të gjitha palët janë duke vrapuar me shpejtësi në kursin e përplasjes frontale ushtarake”, thuhet në deklaratën e Pekinit.
Top Channel