60-vjetori i BE-së, 27 udhëheqësit: Europa, e ardhmja jonë e përbashkët

17/03/2017 00:00

“Europa është e ardhmja jonë e përbashkët”. Kështu planifikohet të thonë udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Europian kur të mblidhen në Romë javën e ardhshme, në një sfidë ndaj presionit nga zhvillimi më i rëndë i unionit, “Brexit”.

Drafti prej një faqeje e gjysmë i siguruar nga “Reuters” i takimit për të shënuar 60-vjetorin e bllokut dhe i titulluar “Deklarata e Romës”, është një përpjekje nga 27 udhëheqësit për të hartuar kursin e së ardhmes pasi Britania të largohet në vitin 2019.

“Jemi të vendosur ta bëjmë BE-në më të fortë dhe më elastike, përmes një uniteti dhe solidariteti edhe më të madh midis nesh. Uniteti është nevojshmëri, por edhe zgjedhje e lirë e jona”, lexohet aty.

“Nëse ndahemi veçmas, ne do të liheshim mënjanë nga dinamikat globale. Qëndrimi së bashku është mundësia jonë e vetme për të ndikuar në to, si dhe për të mbrojtur interesat dhe vlerat tona të përbashkëta. Unioni ynë është i pandarë dhe i pandashëm”.

Drafti, i cili mban datën 16 mars është përgatitur nga kreu i samitit të udhëheqësve të BE-së, Donald Tusk, do të debatohet mes kryeqyteteve javën e ardhshme dhe mund të ndryshojë sërish përpara miratimit përfundimtar në Romë, të shtunën e javës që vjen.

“Në 10 vitet që vijnë, ne duam një union që të jetë i qetë dhe i sigurtë, i begatë dhe i qëndrueshëm, me një përmasë të zgjeruar sociale, si dhe me dëshirën dhe kapacitetet për të luajtur një rol kyç në arenën globale”, lexohet më tej në të.

Në deklaratë shihet angazhimi për më shumë bashkëpunim në fushën e sigurisë mes shteteve të BE-së dhe industrive të tyre mbrojtëse, për menaxhimin efektiv të emigracionit dhe forcimit të kufijve të jashtëm. Udhëheqësit angazhohen gjithashtu për të promovuar tregtinë globale, pavarësisht kritikave të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, për të zhvilluar tregun e përbashkët të bllokut, si dhe për të rritur punësimin dhe inovacionin.

“Europa është e ardhmja jonë e përbashkët”, është pikërisht fjalia e fundit e deklaratës, një përsëritje identike e rreshtit të fundit të tekstit të BE-së të nënshkruar në Berlin në vitin 2007, kur u shënua 50-vjetori i Bashkimit Europian.

“Ne do të veprojmë së bashku kudo që të jetë e mundur, me shpejtësi dhe intensitet të ndryshëm kudo që të jetë e nevojshme, duke lënë dyert e hapura për ata që duan të na bashkohen më vonë”, lexohet në të vetmin fragment që i referohet Europës së shpejtësive të ndryshme në tekst.

Një tjetër çështje delikate është zgjerimi i mëtejshëm, që është edhe antitema e disa prej vendeve anëtare. Disa thonë se dyert nuk duhet të qëndrojnë të mbyllura, pasi kriteri për futjen në BE promovon demokracinë dhe stabilitetin në vendet fqinje.

“Ne duam një union që qëndron i hapur për të gjitha vendet europiane që ndajnë plotësisht vlerat tona”, lexohet në tekst.

Aspektet e tjera të ndërlikuara përfshijnë konceptin e nxitjes së një “Europe më shumë sociale”, në thelbin e të cilit qëndron ideja për të luftuar diskriminimin dhe për të siguruar mundësi të barabarta në edukim dhe punësim.

Shtetet lindore, gjithsesi, kanë frikë se punonjësit e tyre “të lirë” mund të humbasin, nëse vendet më të pasura perëndimore përdorin objektivin për të kërkuar trajtim të barabartë për punonjësit lokalë dhe emigrantët në tregjet e tyre.

Top Channel