Barazim në supersfidën Skënderbeu-Kukësi, gëzon Partizani

17/03/2017 00:00

Kukësi vazhdon të ruajë pathyeshmërinë në Kategorinë Superiore. Skuadra e Ernest Gjokës mori një pikë shumë të vlefshme në përballjen direkte për titull ndaj Skënderbeut në Korçë pas barazimit me rezultatin 1-1.

Të besuarit e Ilir Dajës kaluan në avantazh që në minutën e 14 me anë të Liridon Latifit. Korçarët mund të kishin shënuar edhe gol tjetër në pjesën e parë me Salihin, por sulmuesi shkodran nuk mundi të gjejë dot rrugën e rrjetës. Në krahun tjetër ishte Pejiç ai që për pak sa nuk barazoi rezultatin që në fund të 45 minutëshit të parë mbeti 1-0 në favor të korçarëve.

Në pjesën e dytë u duk se Skënderbeu e kishte në kontroll ndeshjen dhe u mendua se po i shkaktonte disfatën e parë skuadrës verilindore. Por në minutat e fundit, Kukësi bëri që të gjithë tifozët korçarë të heshtnin duke shënuar golin e barazimit me anë të Kale.

Ky barazim i jep mundësinë Kukësit që të ruajë kryesimin në Kategorinë Superiore me 52 pikë, ndërsa Skënderbeu për momentin parakalon Partizanin në vendin e dytë me 50 pikë. Por tashmë Partizani ka të gjitha mundësitë për t’u barazuar me pikë me Kukësin nëse do të fitojë ndaj Korabit.
 

Top Channel