Trump: Unë dhe Merkel jemi përgjuar nga Obama

17/03/2017 00:00

Një Amerikë më e fortë është në interes të të gjithë botës. Ky ishte mesazhi që përcolli presidenti amerikan Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Pas takimit të parë ballë për ballë me “zonjën e hekurt” të Europës, numri një i Uashingtonit rikonfirmoi mbështetjen e fortë për NATO-n, por duke e vënë edhe një herë theksin te nevoja që të gjithë aleatët të paguajnë pjesën e tyre të detyrimeve.

Nuk la pa përmendur edhe çështjen e emigracionit, për të cilën është përplasur jo pak herë në distancë me kancelaren gjermane. Për Trumpin, emigracioni është një privilegj, jo një e drejtë.

“Emigracioni është një privilegj, jo një e drejtë. Ne duhet të mbrojmë qytetarët tanë nga kërcënimi terrorist”, tha Donald Trump.

Një deklaratë kjo, me të cilën Merkel nuk duket të jetë plotësisht dakord.

“Duhet t’i mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm, por në të njëjtën kohë të mos lëmë në baltë ata që duan t’i shpëtojnë luftrave dhe varfërisë”, tha Merkel.

Tregtia është një tjetër çështje e nxehtë, me Trumpin që mbështet politikat proteksioniste e që me planet e tij për taksimin e importeve nga jashtë ka ngjallur kritikat për një izolim të mundshëm të vendit.

“Favorizoj një tregti të drejtë për të gjithë, por nuk kërkoj  izolimin e vendit”, pohoi Trump, që këmbënguli se Shtetet e Bashkuara ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë vitet e fundit.

Sa i përket marrëdhënieve me Rusinë, kancelarja mbështeti përmirësimin e raporteve, por fillimisht sipas saj duhej zgjidhur situata në Ukrainë. Presidenti amerikan nuk humbi rastin për të përsëritur akuzat e përgjimeve telefonike, e tentoi pa sukses të shkrijë akujt me Kancelaren Merkel me një batutë.

“Të paktën kemi një gjë të përbashkët. Jemi përgjuar që të dy nga Obama”, tha Trump.

Pavarësisht se i mëshuan rëndësisë së aleancës shumëvjeçare mes dy vendeve, e përkushtimit për vazhdimësinë e bashkëpunimit në shumë sfera, tensionet mes dy udhëheqësve botërorë ishin të dukshme. Medieve nuk i shpëtoi mungesa e shtrëngimit të duarve në Zyrën Ovale, madje duket se Trump ka injoruar kërkesën e një pjesëtari të shtypit për ta bërë këtë.

Top Channel