Shtëpia e Bardhë “dorëzohet” para “GCHQ”-së

17/03/2017 00:00

Shtëpia e Bardhë duket se ka vënë mend dhe ka premtuar se nuk do të përsërisë më pretendimet se një agjenci britanike spiunazhi ka përgjuar presidentin Donald Trump, sipas asaj që ka njoftuar qeveria britanike gjatë kësaj të premteje.

Marrëveshja ka ardhur pasi Sekretari i Shtëpisë së Bardhë për Shtypin, Sean Spicer bëri publik pretendimin demaskues në përpjekje për të mbrojtur sugjerimet e mëhershme të Trumpit, se ish-presidenti Barack Obama kishte përgjuar kullën “Trump”. Vet Trumpi nuk ka dhënë ndonjë provë që mbështet pretendimin e tij, ndërsa disa ligjvënës kanë thënë se nuk ekzistojnë të tilla prova.

“Downing Street” njoftoi se ambasadori britanik në Uashington, Kim Darroch ka folur drejtpërdrejt me Sekretarin e Shtypit, Sean Spicer, ndërsa edhe këshilltari i kryeministres May për Sigurinë Kombëtare, Mark Lyall Grant ka komunikuar me njerëzit e administratës së Trumpit për t’i dhënë fund këtyre pretendimeve.

Spicer theksoi të enjten se akuzat e Trumpit në “Twitter”, se presidenti Barack Obama kishte përgjuar telefonin e tij në tetor ishin duke iu referuar një “mbikëqyrjeje” më të gjerë sesa përgjimi në vetvete.

Në përpjekjen e tij për t’i dhënë rëndësi këtij rasti, Spicer lexoi për 10 minuta raportime mediash, që sipas tij jepnin prova të mundshme për këtë mbikëqyrje. Mes atyre që ai citoi ishte edhe një deklaratë e zbardhur e bërë në “Fox News” nga analisti Andrew Napolitano, në të cilin ky i fundit sugjeronte se “GCHQ”-ja, agjencia britanike e spiunazhit elektronik, kishte ndihmuar në përgjimin e supozuar.

“Obama – pretendon Napolitano, – doli jashtë zinxhirit të komandës, në mënyrë që të mos kishte asnjë gjurmë amerikane mbi këtë ngjarje”.

Sipas një diplomati perëndimor, Spicer ishte informuar dy ditë përpara konferencës së të enjtes nga Shtëpia e Bardhë, se raporti i Napolitanos nuk ishte i vërtetë. Spicer dhe Darroch kanë biseduar në telefon të martën, thotë diplomati, e gjatë diskutimit Darroch ka nënvizuar se nuk ka asnjë bazë mbi atë raportim.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Darroch dhe Lyall kishin shprehur shqetësimet e tyre si ndaj Sean Spicer, ashtu edhe ndaj këshilltarit të Trumpit për Sigurinë Kombëtare, gjeneral-lejtnantit McMaster.

Një zëdhënës i kryeministres britanike, Theresa May, tha të premten se qeveria britanike ia kishte bërë të qartë Spicerit se “pretendimet qesharake” të Napolitanos duheshin injoruar.

Më herët gjatë ditës, përmes një komunikate për shtyp kishte reaguar edhe vet agjencia britanike e spiunazhit “GCHQ”, duke mohuar të kishte përgjuar Trumpin, duke thënë se pretendimet e ish-gjykatësit Napolitano ishin të rreme dhe fantazi. Një lëvizje e pazakontë kjo e agjencisë “GCHQ”, pasi organizma të tilla as nuk pohojnë dhe as nuk mohojnë në raste të tjera të tilla raportime.

Top Channel