LSDM, drejt qeverisë. Dorëzohet nisma për mbledhjen e Parlamentit

17/03/2017 00:00

Kryetari në largim i Kuvendit maqedonas, Trajko Veljanoski njoftoi se ka pranuar 67 nënshkrimet e deputetëve të shumicës parlamentare, që kërkonin vazhdimin e seancës konstituitive dhe caktoi takim koordinues të grupeve parlamentare për mesditën e së martës.

Në njoftimin e kabinetit të Veljanoskit thuhet se, në takimin koordinues duhet të konfirmohet përbërja e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, që do të shërbejë si bazë për caktimin e vazhdimit të seancës konstituitive.

Ndërkohë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar se pret formimin e shpejtë të qeverisë së re, megjithëse tha se i gjithë procesi duhet të kalojë përmes procedurave ligjore.

“E dini se punët nuk varen vetëm nga Zaev. Me gjasë nuk varen as nga ndonjë individ, por nga të gjithë ne politikanët bashkë. Unë do të doja të krijohej sa më shpejt qeveria e re, por kjo nënkupton fillimisht caktimin e seancës, zgjedhjen e kreut të Kuvendit, kërkesë me shkrim deri tek Ivanovi dhe vendim nga ai se kur do të japë mandatin”, tha Zoran Zaev.

Më herët gjatë se premtes, LSDM-ja dorëzoi nismën për vazhdimin e seancës konstituitive të Kuvendit maqedonas. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Oliver Spasovski, hapi i parë do të jetë zgjedhja e kryetarit të Parlamentit, i cili duhet të largojë argumentin e pakuptimtë të Gjorge Ivanovit mbi dorëzimin e mandatit për formimin e qeverisë.

Të martën mbërrin në Maqedoni Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe 3 eurodeputetët: Ivo Vajgl, raportues për Maqedoninë në PE; Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.

Qëllimi i vizitës së tyre do të jetë bindja e presidentit Gjorge Ivanov për t’i dhënë mandatin Zaevit për krijimin e qeverisë. Ndërkohë, nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Izet Mexhiti i tha “Radios Europa e Lirë” se “kryetar i Parlamentit të Maqedonisë për herë të parë mund të jetë një shqiptar”.

Top Channel