Problemet tek McLaren, kërkohet shkëputja nga Honda

17/03/2017 00:00

Problemet e mëdha të shfaqura gjatë testeve parasezonale në Barcelonë kanë ndezur sinjalet e alarmit te McLaren. Drejtuesit e skuderisë brtanike kanë bërë Hondën si fajtoren kryesore të asaj paraqitjeje tepër zhgënjyese gjatë provave në Montmelo.

Madje është arritur aq sa drejtues të McLaren të kërkojnë një zgjidhje të kontratës me kompaninë japoneze dhe gjetjen e një akordi me Mercedes.

Sipas zërave më të fundit që qarkullojnë në ambientet e Formula 1, drejtuesit e Mclaren mesa duket kanë hyrë në kontakte me ata të Mercedes për një furnizim me motorë të kësaj kompanie dhe mesa duket përgjigjja ka qenë pozitive.

Megjithatë, për të rikryer këtë operacion duhet të kalohen disa pengesa që duken të jenë shumë të mëdha. McLaren dhe Honda kanë nënshkruar një kontratë afatgjatë mes tyre që është e vështirë të zgjidhet për disa arsye, ku ajo kryesorja ka të bëjë me aspektin financiar.

Honda në të vërtetë e bën falas furnizimin e McLaren me motorë dhe kontribuon në pagën e pilotëve dhe buxhetin e skuadrës. Ndërkaq, te Honda po punohet për të zgjidhur sa më shpejt problemet e besueshmërisë së motorit, përndryshe për Alonson do të bëhet akoma më e vështirë për të arritur rezultate, gjë që do të ishte një goditje e rëndë për McLaren, e cila është vënë në kërkim të një sponsori.

Top Channel