Francë, Marine Le Pen favorite në garën presidenciale

17/03/2017 00:00

Pritjes për emrat e kandidatëve, që do të përballen mes tyre për presidencën franceze, po i vjen fundi.

Organizatorët përgatiten të publikojnë listën përfundimtare, ndonëse lojtarët e mëdhenj Marine Le Pen, Emmanuel Macron dhe François Fillon janë të sigurtë se do ta gjejnë emrin në fletën e votimit.

Sondazhet vazhdojnë t’i japin udhëheqëses së Frontit Nacional mundësitë më të mëdha për fitore në raundin e parë të 23 prillit, por thonë se më 7 maj ajo do ta humbasë betejën me favoritin Macron.

Analistët politikë mendojnë se, ndonëse Le Pen do të ketë kryesimin në fillim, votuesit e së majtës e së djathtës do të bashkojnë forcat për të mbështetur kundërshtarin e saj në raundin e dytë, duke i bllokuar kështu 48-vjeçares rrugën drejt pushtetit.

Por eksperti i politikës franceze, Bruno Cautres mendon se, pavarësisht skandaleve që kanë pllakosur Fillonin, duke i dëmtuar rëndë mundësitë e triumfit, edhe pse deri vonë kryesonte garën për çelësat e Elizesë, ai nuk duhet konsideruar automatikisht jashtë loje. Nga ana tjetër, Cautres nuk ndan bindjen e shumicës se, kur të dalin përpara kutisë së votimit, simpatizantët do të arrijnë t’i kapërcejnë linjat partiake.

“Ndryshimi mes situatës sot dhe asaj të përpara 6 muajve ose një viti është se, tani edhe specialistët më të mëdhenj që bëjnë parashikime elektorale nuk e thonë dot me plot gojën se mundësia e fitores së Marine Le Penit është zero”, tha Bruno Cautres, ekspert i politikës franceze.

Sipas medieve ndërkombëtare, edhe pas humbjes së Gert Wildersit në Holandë, mundësitë e Le Penit për fitore nuk janë shembur, ndërsa është ende herët që të flitet për një disfatë të populizmit në Europë.

Top Channel