NBA, fitojnë Golden State, Cleveland

17/03/2017 00:00

Cleveland përjetoi një mbrëmje sa të këndshme aq edhe të hidhur.

Në Quicken Loans Arena, skuadra nga Ohio arriti të mposhtë Utah Jazz 91-83 në një ndeshje ku në formacionin bazë u pa sërish Kevin Love i rikthyer pas një problemi në gju me këtë basketbollist që shënoi 10 pikë në 20 minuta lojë.

Por rishfaqja e Love në parket u shoqërua me dy probleme të tjera dhe bëhet fjalë për dëmtimin në shpatull të Iman Shumpert e  atë në gju të Kyrie Irving duke u detyruar te braktisin fushën e lojës në periodën e fundit të sfidës. Përsa i përket ndeshjes, ai që e drejtoi Cleveland drejt suksesit ishte LeBron James me 33 pikë, 17 nga të cilat i shënoi në 12 minutat e fundit të saj.

Golden State e pati akoma më të lehtë ndeshjen e saj ndaj Orlandos në Oracle Arena. Skuadra kaliforniane ishte dominuese kundrejt Magic duke e mundur me rezultatin 122-92. Klay Thompson ishte më i miri në parket për Warriors me 29 pikë, 21 nga të cilat i shënoi vetëm në periodën e parë, ndërsa Stephen Curry u ndal në kuotën e 25 pikëve personale.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Oklahoma mundi Toronton 123-102, Memphis fitoi ndaj Atlantës 103-91, ndërsa New York humbi në Madison Square Garden ndaj Brooklyn 110-121.

Top Channel