Letra e dërguar nga 6 senatorë amerikanë, Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, me kërkesën të hetohet ndërhyrja e administratës së mëparshme në punët e brendshme të disa shteteve të tjera, si Maqedonia dhe Shqipëria, mund të nxisë një “gjueti të vërtetë shtrigash”.

Paralajmërimi vjen nga një ish-agjent i CIA-s, i cili ka shërbyer në Siri, John Kiriakou. “Ky, më shumë është shënjestrim i grupeve të caktuara, politika e të cilëve nuk i vjen për shtat senatorëve firmëtarë”, thotë ai.

Të martën, 6 ligjvënësit e drejtuar nga Mike Lee, i bënë thirrje kryediplomatit të hetojë organizmat politikë financues amerikanë në vende të tjera, duke përfshirë këtu dhe organizatën e mbështetur nga George Soros, “Fondacioni për Shoqëri të Hapur”.

Ata përmendin raporte për diplomatë që mbajnë krahun e favoritëve politikë, USAID-in që financon aktivistët politikë ekstremë, e ndonjëherë edhe të dhunshëm, dhe qeverinë amerikane që punon për të margjinalizuar të moderuarit dhe konservatorët në rolet e udhëheqjes, – thotë Lee, – duke shtuar se kjo sjellje është e papranueshme dhe duhet të ndalojë menjëherë.

Emri më i lakuar në letër është ai i Maqedonisë. Senatorët kërkojnë shpjegime mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi shprehen se kanë marrë “njoftime të besueshme se, gjatë viteve të fundit, ai ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend”.

Përzierja e Amerikës në Shqipëri, nga ana tjetër, – thuhet në letër, – duket se ndjek linjën e një aktiviteti alarmues në këtë rajon të paqëndrueshëm. Shqetësimi i ngritur nga 6 ligjvënësit Ted Cruz, Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue dhe Bill Cassidy është në thelb se, ndihmat ndaj dy vendeve mund të mos jenë në shërbimin e interesave amerikane strategjike apo ekonomike.

Top Channel