Lufta për titullin, rriten emocionet para Skënderbeu-Kukësi

16/03/2017 00:00

Java e 26 e Kategorisë Superiore do të përballë dy skuadra kryesore në luftën për titullin kampion të këtij sezoni.

Skënderbeu, kampioni në fuqi që e synon titullin për të shtatin vit radhazi, dhe Kukësi, i cili këtë vit duket se është një kandidat shumë më serioz për titullin.

Verilindorët vijnë në këtë përballje pas fitores së thellë 4-0 përballë vendit të fundit në renditje, Korabit, por gjithsesi kjo nuk ndikon aspak në motivimin për sfidën me Skënderbeun.

“Çdo ndeshje ka motivim ndryshe, sikurse edhe kjo ndeshje, si nga ana jonë, ashtu edhe nga ana e kundërshtarit. E rëndësishme për ne është që të mos humbasim për vazhdimësinë. Ne mendojmë se i kemi të gjitha mundësitë që të shkojmë e të tregohemi dinjitozë në fushën e Skënderbeut. Që do të thotë se shkojmë për të marrë rezultat pozitiv”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Ndërkohë në kampin korçar, ndeshja e fundit me Tiranën tregoi një gjendje jo shumë të qetë brenda grupit. Përballja me Kukësin për ta do të jetë gjithashtu shumë e rëndësishme, edhe pse nuk vendos çështjen e titullit.

“Nëse duam që të vazhdojmë rrugën për objektivin përfundimtar, natyrshëm që në këto përballje të drejtpërdrejta bonusi është sa i përket pikëve që merren, duke ia hequr kundërshtarit. Kukësi nuk ka asnjë humbje, por duke hequr dorë nga modestia, edhe Skënderbeu që unë drejtoj nga fillimi i vitit nuk ka asnjë humbje. Ne mendojmë se jemi më mirë sesa kundërshtari”, tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Kukësit do të zhvillohet ditën e premte në orën 18:00, në sdadiumin e Korçës. Kjo është përballja e katërt e tyre, ndërkohë që në 3 të parat Kukësi ka fituar dy dhe ka barazuar njërën, të luajtur pikërisht në stadiumin e Skënderbeut.

Top Channel