Europa League, mësohen 3 çerekfinalistët e parë

16/03/2017 00:00

Turqit e Beshiktashit kanë mposhtur 4-1 në takimin e dytë grekët e Olimpiakosit, me të cilët kishin barazuar 1-1 në Pire një javë më parë.

Edhe pse takimi nisi vrullshëm për ekipin nga Stambolli, duke shënuar dy gola në rreth 20 minuta me anë të Aboubakar dhe Babel, Olimpiakos shkurtoi diferencën përkohësisht me anë të Elyounoussit pas gjysmë ore loje. Por 6 minuta nga fundi i pjesës së parë, turqit mbeten me një lojtar më pak, pas largimit të autorit të parë të golit për shkak se goditi me kokë një kundërshtar me lojën e ndalur për një ndërhyrje të gabuar ndaj grekëve në mesfushë. E megjithatë, Olimpiakos nuk diti të shfrytëzojë inferioritetin numerik, duke pësuar edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, ku për turqit shënuan Babel dhe Tosun.

Derbi belg mes Genkut dhe Gentit, që në ndeshjen e parë dhuruan një lumë golash pas të cilave triumfoi Genku 5-2, në takimin e kthimit nuk shkuan më shumë sesa barazimi 1-1. Në pjesën e parë shënoi ekipi vendas me anë të Castagne, ndërsa 6 minuta nga fundi i kohës së rregullut barazoi për Gentin, Verstraete.

Disi surprizë mund të quhet kualifikimi për në çerekfinale i spanjollëve të Celta Vigos, me këta të fundit që luanin në një transfertë të vështirë në Rusi ndaj Krasnodarit. Këta të fundit, spanjollët i kishin mposhtur 2-1 në Vigo, ndërsa i mposhtin për të dytën herë edhe në Rusi me rezultatin 2-0, me dy gola të shënuara në pjesën e dytë të takimit, falë Mallo dhe Aspas. Vlen vetëm për statistikë, por pa ndikim në rezultatin e ndeshjes, kartoni i dytë i verdhë për lojtarin Kabore të Krasnodarit në minutat e fundit.

Aktualisht janë duke u zhvilluar edhe ndeshjet e kthimit të 1/8-ave në 5 çiftet e fundit.

Top Channel