Kujdes kur blini makina online!

16/03/2017 00:00

Nëse jeni të interesuar të blini makina online, duhet të jeni vigjilentë pasi mund ta pësoni fare lehtë.

Të paktën ky është një konstatim që vjen nga policia e Tiranës e cila vetëm para pak ditësh ka njoftuar qytetarët që të jenë të kujdesshëm në blerjen online të automjeteve, pasi në policinë e Tiranës janë denoncuar edhe raste nga qytetarët se si kanë rënë në kurthin e mashtruesve. Madje mashtruesit kanë arritur të përfitojnë edhe shuma të mëdha, që shkojnë deri në 25 mijë euro deklaron policia.

Janë disa site online thotë policia në të cilat qytetarët duhet të kenë kujdes nga shitësit online. Këto portale janë ngritur për të shitur automjete dhe funksionojnë në gjithë botën dhe nuk ka asgjë të dyshimtë në qëllimin e tyre, por shqetësimi qëndron në faktin se këto portale përdoren edhe nga keqbërës të ndryshëm për të vendosur lajmërime shitjesh të automjeteve, por në disa raste kjo mënyrë ka rezultuar mashtruese duke bërë që të bien pre shumë qytetarë.

Skema e mashtrimit:
Mekanizmi është i thjeshtë, fillimisht qytetari zgjedh makinën nga këto portale dhe më pas komunikon me anë të emailit duke kërkuar informacion shtesë rreth makinës. Personat që kthejnë përgjigje shkruajnë në mënyrë serioze, ata japin informacion të detajuar dhe më pas ofrojnë dhe kontrata transporti, si dhe sigurim të plotë deri në dorëzimin e mjetit në Tiranë.

Në fakt asgjë nuk është e vërtetë, kompantitë e transportit dhe agjensitë e sigurimeve ekzistojnë  si kompani, por nuk janë të përfshira në këto transaksione. Këta emra kompanish dërgohen qëllimisht për t’u bërë më të besueshme. Personi mashtrues, i cili ka nxjerrë lajmërimin për shitjen e mjetit përdor adresa emaili dhe hiqet fillimisht si shitës, njëherë  si punonjës i kompanisë së transportit,  dhe njëherë tjetër si punonjës i kompanisë së sigurimeve.

Ajo që bie në sy është që lajmërimet për shitje makinash në dukje të parë të japin përshtypjen e një lajmërimi të rremë, pasi  automjetet që publikohen  janë 40 ose 60% më të lira se tregu i zakonshëm. Po ashtu këta lloj shitësish bëjnë oferta nëpërmjet komunikimit ku premtojnë një zbritje rreth 50% të vlerës reale për të futur në kurth blerësin.

Top Channel