Paddy Lowe te Williams, aksioner dhe drejtor teknik i saj

16/03/2017 00:00

Paddy Lowe lë zyrtarisht Mercedes për të kaluar te Williams ku do të jetë aksioner dhe njëkohësisht edhe drejtori teknik i saj.

Skuderia britanike e bëri të ditur lajmin nëpërmjet një komunikate për shtyp të publikuar në faqen e saj të internetit. Në komunikatën e Williams nuk bëhej e ditur se sa ishte kuota e aksioneve në zotërim të Lowe dhe detajet e kësaj lëvizjeje pritet të zbulohen në një datë të mëvonshme.

Paddy Lowe, që e nisi karrierën e tij në Formula 1 në vititn 1987 pikërisht me Williams, do të bashkëpunojë edhe me Claire Williams si dhe shefin ekzekutiv të skuadrës Mike O’Driscoll. Ndërkaq, te Mercedes prej javësh është mësuar emri i zëvendësuesit të Lowe dhe bëhet fjalë për James Allison, i cili më parë ka qenë në rolin e drejtorit teknik të Ferrarit.

Gjatë qëndrimit të tij te Mercedes, Paddy Lowe dha një kontribut të rëndësishëm në sukseset e kësaj skuadre, kampione e botës në Formula 1 në 3 vitet e fundit.

Mercedes ka fituar 51 nga 59 gara që nga momenti që makinat përdorën motorët turbo V6 1.6 litra në vitin 2014. Ndërsa më parë te Williams, Lowe ka punuar së bashku me bashkëthemeluesin e kësaj skuadre, Patrick Head dhe Adrian Newey.

Top Channel