Samiti i Sarajevës, përpjekje për të ulur tensionet në Ballkan

16/03/2017 00:00

Samiti i kryeministrave të Ballkanit pritet të jetë një kthesë në marrëdhëniet e trazuara mes fqinjësh.

I pari arriti kryeministri Edi Rama në Kuvendin e Bosnjës. Fokusi kryesor ka qenë tek takimet e homologëve dhe mënyra se si do të kalonin ato pas deklaratave të shumta akuzuese kundër njëri-tjetrit.

Pas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrave të tjerë, i fundit arriti kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, për të cilin u spekulua se mund të kishte edhe probleme sigurie, por mediat serbe nxorën edhe faktin që sipas tyre, ai në darkën e një nate më parë kishte “ulëritur” ndaj kryeministrit Mustafa.

Pas të ashtuquajturës fotografisë familjare, takimet vazhduan në ambientet e punës me dyer të mbyllura. Shumica e kryeministrave thanë se problem në Ballkan ngelet fakti se pas këtyre takimeve vazhdojnë konfliktet dhe fjalori i vjetër i urrejtjes.

Përveç projekteve për zhvillim mes shteteve, ky samit shihet edhe si një mundësi e radhës për shtendosjen e marrëdhënieve në rajon.

Takimin e Bosnjës e kanë vlerësuar edhe përfaqësuesit e BE-së dhe të qeverisë italiane.

Porositë nga Bashkimi Europian dhe nga Johannes Hahn kanë qenë të qarta. Është thënë se ky është momenti për të bërë një kthesë në marrëdhëniet e rajonit që tashmë duket mjaft i trazuar.

Top Channel