Europa merr frymë, përshëndetet fitorja e Rutte

16/03/2017 00:00

Shumë nga sondazhet parazgjedhore profetizonin fitoren e Gert Ëildersit në Holandë, e kjo bëri të bien kambanat e alarmit nëpër kryeqytetet europiane. Por, me t’u konfirmuar fitorja e kryeministrit Mark Rutte, një ndjenjë lehtësimi përshkoi Europën.

Presidenti francez François Hollande foli për një triumf të qartë mbi ekstremizmin, ndërsa shefi i stafit të Angela Merkelit, Peter Altmaier shkroi në “Twitter”: Oh, Holandë, ti je kampione! Urime për këtë rezultat të jashtëzakonshem!

Të gëzuar shprehen edhe gjermanët e thjeshtë, të cilët mendojnë se fakti që nuk triumfuan ekstremistët e djathtë është lajm shumë i mirë për Europën.

“Jam shumë i kënaqur. E konsideroj këtë një shenjë të mirë që tregon se gjërat nuk shkojnë gjithmonë në një drejtim, sidomos pas ‘Brexit’-it dhe zgjedhjes së Trumpit president. Më gëzon rezultati në Holandë, edhe pse nuk di shumë mbi Rutten. Nuk jam i përfshirë në politikën holandeze, por sërish them se është pozitive që nuk u zgjodh Wilders”, tha Geza Lakatos, kalimtar.

“Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë. Mendoj se njerëzit e kuptojnë kur është vërtet e rëndësishme të thonë fjalën e tyre dhe morën vendimin e duhur”, tha Raul Perera, tjetër kalimtar.

“Nuk e di nëse ky rezultat do të ketë ndonjë efekt pozitiv në Francë, por kam bindjen se në zgjedhjet parlamentare të Gjermanisë do të ndikojë patjetër”, tha Monika Braun, kalimtare.

Franca shkon në votime muajin e ardhshëm, ndërsa Gjermania i mban zgjedhjet e përgjithshme në shtator. Analistët druheshin se një triumf i Wildersit në Holandë mund të paralajmëronte fitoren e Marine Le Penit dhe atë të partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani, “Alternativa për Gjermaninë”.

Top Channel