Holanda i thotë “jo” populizmit, Europa fle e qetë

16/03/2017 00:00

Europa po fle sonte e qetë, pas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtën në Holandë, për shkak të frikës së fitores së linjës anti BE.

Partia e kryeministrit Mark Rutte fitoi zgjedhjet, ndërsa sondazhet dështuan edhe në këtë vend.

Ai morri 31 deputetë nga 150. Ky rezultat e qetëson Holandën dhe Europën, se mbase suksesi i populistëve do të ndalet këtu, kur testi i radhës dhe frikës tashmë është me zgjedhjet presidenciale në Francë.

Në fjalimin e fitores, para mbështetësve të tij, Rutte nuk i fshehu emocionet dhe foli për qëndrimin pro Bashkimit Europian.

“Eshtë një mbrëmje e rëndësishme për të gjithë Europën, pas Brexit dhe zgjedhjeve amerikane, Holanda i tha jo populizmit”, deklaroi Rutte.

Ai vlerësoi numrin e madh të votuesve në zgjedhje, ndërsa mori edhe urimet e para nga zyrtarët në Bruksel dhe nga vendet e rëndësishme të unionit, si Gjermania dhe Franca.
 
Ndërkohe partia e Lirisë, e politikanit anti-BE dhe anti-islamik, Gert Wilders, renditet e dyta me 19 deputetë, katër më shumë se zgjedhjet e fundit.

Ajo e ndan vendin e dytë me dy partit të tjera, që kanë marrë po nga 19 deputetë.

Analistët thonë se ndarja e madhe e votës holandezë në këto zgjedhje, duket se do ti komplikojë disi bisedimet për koalicionin, por Wilders padyshim nuk është pjesë e ekuacionit, ndërsa Rutte me plot të drejtë do të kërkojë mandatin e tretë.

Top Channel