Zgjedhjet në Holandë, Exit Poll: Fiton Mark Rutte

15/03/2017 00:00

Partia qeverisëse e kryeministrit holandez Mark Rutte ka fituar zgjedhjet dhe më shumë vende në parlament, të paktën sipas Exit Polleve të para. Menjëherë pas mbylljes së kutive të votimit, Exit Pollet i japin Rutte dhe partisë së tij VVD 31 vende nga 150 në parlament.

Megjithëse kjo shifër shënon një humbje prej 10 vendesh nga zgjedhjet e fundit, qetëson Holandën dhe Evropën se mbase suksesi i populistëve do të ndalet këtu.

Ashtu siç pritej, partia e lirisë e politikanit anti-BE dhe anti-islamik Gert Wilders renditet e dyta me 19 deputetë të parashikuar, katër më shumë se zgjedhjet e fundit. ajo e ndan vendin e dytë me dy partitë të tjera, CDA dhe D66 që kanë marrë po nga 19 deputetë, diçka që thekson diferencën e madhe me partinë qeverisëse.

Humbësi i madh i zgjedhjeve duket partneri në koalicion me Rutte, partia PvDA, të cilës Exit Pollet i japin vetëm 9 deputetë, një humbje prej 29 vendesh në parlament nga zgjedhjet e 2012-s.

Fitorja e Rutte padyshim që i lejon partnerët e tij evropianë të marrin frymë lirisht, pasi Brexit dhe Donald Trump, i kishte bërë ti druheshin tej mase një mesazhi të radhës populist nga zemra e Evropës. Analistët thonë se frakturimi i madh i votës holandezë në këto zgjedhje, duket se do ti komplikojë disi bisedimet për koalicionin, por Wilders padyshim s’është pjesë e ekuacionit, ndërsa Rutte me plot të drejtë do të kërkojë mandatin e tretë.

Top Channel